Projekte të shumta muzikore, koncerte e dasma, janë disa nga aktivitetet si burime të fitimit nga artistët kosovarë, gjë që përbën sfidë edhe për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), sa i përket monitorimit dhe deklarimit të të hyrave, shkruan GazetaDemos.
“Këngëtarët shpesh përfitojnë nga të ardhurat e tyre nëpërmjet performancave live, shitjes së albumeve të tyre, transmetimeve në radio dhe televizion, rrjeteve sociale, si dhe përmes kontratave të tjera për reklama ose sponsorizimeve. Kjo krijon një sfidë në sigurimin e përmbushjes së obligimeve tatimore, pasi të ardhurat e tyre mund të jenë të shumta dhe të ndryshme nga burime të ndryshme”, kanë thënë nga ATK-ja.
ATK-ja për Gazetën Demos ka deklaruar se monitorimi i të hyrave të artistëve është i rëndësishëm për të garantuar që ata deklarohen saktësisht dhe tatimet e tyre paguhen në përputhje me ligjin.
“Monitorimi i tyre është i rëndësishëm për të garantuar që ata deklarohen saktësisht dhe tatimet e tyre paguhen në përputhje me ligjin”, deklaruan nga ATK për GazetënDemos.
Kurse në tabelën që ATK ka përpiluar lidhur me deklarimet dhe pagesat e tatimeve të artistëve, shihet se kontrbuti i artistëve në buxhetin e shtetit është rritur konsiderueshëm krahasuar me periudhat e njëjta të viteve paraprake.
Përderisa për peridudhat tatimore janar – qershor të viteve 2021 dhe 2022, kalon pak mbi gjysëm milioni, periudha e njëjtë e vitit 2023, është dyfishuar, ku nga 1 janari e deri në përfundim të qershorit, artistët i kanë kontribuuar buxhetit të shtetit me mbi 1.2 milion euro. /GazetaDemos/