Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën bëri një shaka, duke thënë se do të donte që të ishte pasues i Papa Françeskut, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 88-vjeçare.
Trumpi, i cili u pyet se kë do të donte ta shihte si papë të ardhshëm, para gazetarëve tha: “Unë do të doja të jem papë. Kjo do të ishte zgjedhja ime numër një”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, presidenti amerikan theksoi se në të vërtetë nuk kishte ndonjë kandidat të parapëlqyer, duke shtuar: “Duhet të them, kemi një kardinal që ka qëlluar të jetë nga një vend i quajtur Nju-Jork, i cili është shumë i mirë, prandaj do të shohim se çfarë ndodh.”
Kardinali Timothy Dolan nga Nju-Jorku nuk është në listën e ngushtë të pasardhësve të mundshëm të Papa Françeskut, por në atë listë përfshihet një amerikan tjetër, kardinali Joseph Tobin nga New Jersey. Asnjë amerikan nuk ka qenë ndonjëherë papë.
Trumpi dhe bashkëshortja e tij, Melania, udhëtuan në Romë fundjavën e kaluar për të marrë pjesë në funeralin e papës së parë nga Amerika Latine.
Presidenti amerikan dhe papa tashmë i ndjerë kishin shkëmbyer kritika për një dekadë, kryesisht të ndërlidhura me thirrjen e papës për dhembshuri ndaj emigrantëve, grup të cilin Trumpi në mënyrë të përsëritur është munduar ta dëbojë nga vendi i tij.
Rreth 135 kardinalë katolikë së shpejti do të ngarkohen me detyrën e hyrjes në një mbledhje sekrete për ta zgjedhur papën e ri. Nuk shihet ndonjë kandidat që është favorit i qartë për pozitën e lartë