Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se derisa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti alarmon për rreziqet nga ushtria serbe në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi, Forca e Sigurisë së Kosovës tash e sa javë përballet me çështjen e mungesës së ushqimit adekuat.
Postimi i Tahirit:
Derisa kryeministri Kurti alarmon për rrezikun që vjen nga ushtria serbe dhe provokimet e tyre në distancën prej 50 metra nga vija kufitare e shtetit tonë, nga ana tjetër, komandanti i FSK-së paralajmëroi se problemet e shërbimit të ushqimit si dhe mungesa e personelit mund të qojnë në pezullimin e aktiviteteve të saj.
Kjo gjendje është jo vetëm shqetësuese por e papranueshme. Ushtria e Kosovës është krenaria e secilit qytetar dhe nuk duhet të neglizhohet e as të vihet në situata të tilla për shkak të paaftësisë së një qeverie.
Megjithatë, tashmë vetëm javët na ndajnë nga zgjedhjet e 9 shkurtit përmes të cilave qeveria e ardhshme e udhëhequr nga Bedri Hamza do të restauroj dëmet dhe pasojat e mëdha.