Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, reagoi ndaj deklaratës së Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se nga zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore, nuk janë dëmtuar mbetjet mortore, mostrat, e as arkivi i këtij institucioni.
Gjatë debatit parlamentar në Kuvend, Tahiri drejtuar Haxhiut, tha se pas humbjes së mostrave të rastit Dehari, kjo e fundit nuk do duhej ta vazhdonte më punën e ministres, e as të jetë pjesë e skenës publike.
“Me pas qenë ministër i drejtësisë, nëse do më humbnin mostrat e Astrit Deharit, jo që nuk do të mund ta vazhdoja më punën e ministrit, por realisht nuk do të rrija as në skenën publike. Është tepër e rëndë ta marrësh një përgjegjësi të tillë. Në kohën time, si ministër i drejtësisë, nuk kam përjetuar diçka të tillë, nuk kam përjetuar ndonjëherë humbje të mostrave, nuk kam përjetuar zjarrvënie. Me dhënë arsyetime kaq të lehta në mënyrën se si janë dëmtuar mbetjet mortore e heroit tonë kombëtar, Isa Boletini dhe të flasësh për mustaqet e Adem Jasharit në atë formë, e kaq lehtë, e të mos ndjesh aspak përgjegjësi, është e pabesueshme. Ju ministre, as në skenë publike nuk duhet të rrini, nuk duhet të të shohin njerëzit as në televizor, është marre”, potencoi Tahiri para deputetëve.
Kujtojmë se Haxhiu ka thënë se ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe elektro-teknikës janë duke e kryer punën e tyre, me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit në IML