Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se shpërbërja e Kuvendit mund të bëhet vetëm me shkarkim ose dorëheqje të Kurtit.
Tahiri tha se janë të gatshëm të takohen me Kurtin për tema të interesit nacional, por shtoi se se për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje, nuk kanë pse takohen.
“Për AAK-në, shpërbërja e Kuvendit mund të ndodhë vetëm kur kryeministri të shkarkohet ose dorëhiqet. S’ka asnjë arsye mos me u taku me zotin Kurti, por duhet me ditë për çka me u taku. Nëse ka të bëjë me ndonjë temë të interesit nacional, ne e kemi thënë edhe në letër se takohemi. Por për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje nuk kemi pse takohemi se AAK ia ka dhënë votat. PDK ka pasë qëndrim për shpërbërje të Kuvendit edhe më herët, për LDK nuk e di.
Kurti një ditë para se të vendoset për anëtarësimin e Kosovës, asi merret me zgjedhje, për me mblu një marre, një dështim total që ia ka thënë Kosovës. Ne kemi prezantu një mocion mosbesimi, jemi subjekti i vetëm që para një viti kemi kërkuar shkarkimin e tij, por kjo nuk ka ndodhë. Shkuarja në zgjedhje përmes një marrëveshje kërkon më shumë korrektësi”, tha Tahiri.
“Mirëpo ajo që dua të them në qoftë se ka një parti që i konvenojnë zgjedhjet, parti që është në këtë Kuvend të Kosovës është Alenaca. Po e them pa modesti, për shkak se organizmi strukturor i Aleancës kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm. As në Kosovës e as në diasporë. Edhe unë mendoj që rezultati jonë do të jetë befasia e zgjedhjeve. Mirëpo shkuarja në zgjedhje përmes një marrëveshje kërkon më shumë korrektësi”, ka thënë ai.
Zgjedhjet e parakohshme ishin temë e diskutimit në një takim dy orësh mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi të hënën mbrëma. Krasniqi ishte i vetmi lider opozitar që i shkoi Kurtit në darkën e punës, në të cilën kishte ftuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdxihiku dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj. Që të dy kishin refuzuar ftesën.
Kryeministri Albin Kurti pas takimit ka thënë se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.
Kohë më e mirë për zgjedhje sipas tij janë pranvera ose vjeshta.
Kurti ka thënë se me Krasniqin kanë diskutuar edhe për rëndësinë e një komunikimi më të mirë në ditët në vijim, me qëllim të miratimit të 13 marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në pritje për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.
“I falënderoj udhëheqësit e PDK-së, Krasniqin e Tahirin që iu përgjigjen ftesës. Diskutuam çështjet e aktualitetit politik por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për tu votuar. Na nevojitet mbështetja e opozitës. Diskutuam për situatën në përgjithësi edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, gjithashtu sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt por dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës”.Ai ka thënë se do t’i vazhdojë diskutimet për zgjedhje edhe me partitë tjera opozitare.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Le ta diskutojmë, por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim ose të them se kështu se nuk mundet ndryshe. Ta bëjmë debatin në fushatë zgjedhore pasi të jemi pajtuar për zgjedhje”, tha Kurti pas takimit.