Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencën për media të enjtën mbrëma foli për tensionet në Mitrovicën e Veriut.
Sveçla i cili foli nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, tha se pop resin reagim nga KFOR për t’i larguar barrikadat. Ai shtoi se në rast se kjo nuk ndodh “sa më shpejt”, atëherë do t’i jepet urdhëri Policisë së Kosovës për të vepruar.
Sveçla foli edhe për arrestimin e ish-policit serb Dejan Pantiq për të cilin tha se po mbahet në paraburgim në Jarijnë ndërsa shtoi se së shpejti do të bëhet transferimi i tij.
“Pantiq është duke u mbajtur në Jarinjë. Lidhur me këtë rast kemi proceduar kërkesë për transferimin e tij në objektet adekuate që ta vazhdoj paraburgimin. Për ne mbete prioritet transferimi përmes bashkëpunimit me KFOR dhe EULEX. Vetëm largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim.
Mënyra më e mirë ne i kemi kapacitete e nevojshme për largimin e barrikadave. Presim që sa më parë të veprohet nga KFOR. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë për të mos thënë e rënduar. Po presim që sa më shpejt ato të largohen, nëse kjo nuk ndodh do ta bëjmë vetë”, tha Sveçla.
Ndryshe, nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.