Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë mbajtur konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.
Ministri tha se zbatimi i vendimit për pajisje me dokumentin hyrje-dalje ka filluar qysh në orët e para të mëngjesit, dhe po vijon pa pengesa.
“Në orët e para të mëngjesit ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për pajisje me dokumentin hyrje-dalje. I gjithë ky proces është duke vijuar pa pengesa. Ashtu siç e kemi parashikuar, procedura është e shkurtër për dallim nga procedura e pales tjetër, e cila për 11 vite me radhë ka shërbyer si presion për shtetasit tanë qe kane kaluar nëpër Serbi”, tha Sveçla.
Tutje, Ministri i Punëve të Brendshme foli edhe për validitetin e dokumentit hyrje-dalje.
“Dua të siguroj qytetarët se dokumenti për hyrje-dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit gjatë hyrjes dhe qarkullimit gjatë qëndrimit, si dhe vlefshmëria e tij është 90 ditë”, tha Sveçla.