Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se shteti i Kosovës është përballur me akte terroriste, pas të cilave qëndron Serbia.
Ai përmendi edhe barrikadat në veri dhe bllokimin e lëvizjes së lirë.
“Që nga aksionet tona të para jemi ballafaquar me akte terroriste ndaj pjesëtarëve të Policisë dhe me barrikada në pengim të qarkullimit të lirë. Ne numërojmë qindra sulme ndaj Policisë, mediave e qytetarëve e cila pas gjithë këtyre qëndron Serbia. Por lufta ndaj krimit të organizuar ka qenë zotimi ynë dhe Qeveria është e fokusu me gjitha kapacitetet në këtë drejtim”, tha Sveçla.
Ministri i Brendshëm tha se Lista Serbe nuk mund të thotë se nuk ka qenë e përfshirë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, vitin e kaluar në veri.
“Nën petkun e përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës pas takimeve me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, udhëheqësit e Listës Serbe kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në trazirat e vazhdueshme atje, ndërsa njerëzit me të afërt ishin sulmues aktiv të pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë dhe të institucioneve tona.
Nuk mund të thotë Lista Srpska se nuk ka qenë në përfshirë në sulmet e pjesëtareve të KFOR-it. Asistentë, shoferë, truproje të Listës Srpska janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati”, tha Sveçla.
Këto deklarata Ministri i Brendshëm i bëri në lansimin e raportit me titull “Siguria në Veri të Kosovës pas sulmeve terroriste në Banjskë dhe kanalin Ibër-Lepenc: Cilët janë hapat e radhës?”
Gjatë raportit u tha se më shume se një vit pas sulmit terrorist serb në fshatin Banjskë të Zveçanit, kreu i këtij grupi Milan Radojçiq vazhdon të mbetet i pandëshkuar dhe i strehuar në Serbi.