Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas kërcënimit me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se institucionet janë duke e trajtuar rastin me seriozitet maksimal dhe se Kosova do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës.
“Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, ka thënë Sveçla.
Postimi i plotë:
Me datën 05.07.2025, një kërcënim për bombë është adresuar ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi.
Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS.
Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić.
Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë.