Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla po merr pjesë në rivarrimin e Liridona Ademajt, 30-vjeçares e cila u vra mizorisht të mërkurën në Bërnicë të Prishtinës.
Pjesëmarrëse në rivarrim janë edhe dy ministret Donika Gërvalla e Rozeta Hajdari.
Me kërkesë të familjarëve, trupi i Liridona Ademajt, e cila u vra të mërkurën mizorisht në Prishtinë, u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës dhe po varroset në fshatin e saj të lindjes, Rracaj.
Prokuroria e miratoi kërkesën e familjes për rivarrimin e 30-vjeçares, e cila dyshohet se u vra në një skenar të organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ai dje doli për herë të parë para gjykatës, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, dy të pandehurit tjerë me të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë se e organizoi vrasjen e Liridonës.
Gjykata Themelore e Prishtinës dje ua caktoi nga një muaj paraburgim secilit, pasi sipas gjykatëses së procedurës paraprake, “ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.