Policia gjermane ka arrestuar një person të dyshuar për një sulm me thikë në memorialin e Holokaustit në Berlin, që la të plagosur rëndë një turist spanjoll.
S’kishte asnjë shenjë të menjëhershme që tregonte motivin për sulmin të premtën mbrëma, dy ditë përpara se gjermanët të votonjnë në zgjedhjet kombëtare, shkruan The Guardian.
Një zëdhënës i policisë, Florian Nath, tha se sulmi ndodhi në orën 18:00, “ndoshta me thikë. Ndoshta me diçka tjetër”.
Gati tri orë më vonë, një burrë iu afrua një oficeri në kordonin rreth terrenit përkujtimor.
“Ai kishte gjak në duart e tij dhe kjo e bëri atë shumë të dyshimtë”, tha Nath.
Zëdhënësi tha se policia e arrestoi burrin dhe sekuestroi armën e sulmit.
Viktima u identifikua si një 30-vjeçar spanjoll, i cili u dërgua në spital.
Monumenti, një nga vendet më të shenjta të kryeqytetit gjerman, është shenjë përkujtimi për gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Fushata zgjedhore kombëtare e Gjermanisë – në të cilën sondazhet sugjerojnë se një parti e ekstremit të djathtë mund të dalë në vendin e dytë për herë të parë në 90 vjet – është dëmtuar nga një seri sulmesh të profilit të lartë. Një prej tyre ishte një goditje me thikë për të cilën fajësohej një emigrant afgan, gjë që shkaktoi një debat të ashpër mbi imigracionin.
Më herët të premten, një çeçen 18-vjeçar etnik u arrestua me dyshimin se po planifikonte një sulm ndaj ambasadës izraelite në Berlin, raportoi Bild.