Forcat e Armatosura të Indisë ndërmorën mbrëmjen e kaluar një seri sulmesh ajrore ndaj nëntë lokacioneve në territorin e Pakistanit, duke shkaktuar viktima dhe ngritur ndjeshëm tensionet në rajon. Sipas informacioneve të fundit, si pasojë e këtyre sulmeve kanë humbur jetën 26 persona, përfshirë edhe fëmijë, ndërsa mbi 40 të tjerë janë plagosur.
Sipas ministrit të Jashtëm të Indisë, Vikram Misri, sulmet kishin për qëllim çaktivizimin e infrastrukturës së grupeve terroriste në territorin pakistanez. Në një konferencë për shtyp, ai i përshkroi sulmet si “proporcionale dhe jo përshkallëzuese”.
„Shërbimet tona të inteligjencës kanë sinjalizuar për rrezikun e sulmeve të reja ndaj Indisë, dhe është vlerësuar si e domosdoshme që këto kërcënime të neutralizohen në fazën e hershme,“ u shpreh Misri.
Zyrtare të larta të ushtrisë, kolonelja Sofia Qureshi dhe komandantja e skuadriljes Vijomika Singh, deklaruan se „nëntë kampet terroriste ishin objektiv i sulmeve dhe janë shkatërruar plotësisht“. Ato shtuan se këto kampe ndodheshin në Pakistan dhe në pjesën e Kashmirit të kontrolluar nga Pakistani.
Çfarë dihet deri tani për përplasjen?
- Autoritetet pakistaneze pretendojnë se kanë rrëzuar pesë avionë ushtarakë indianë dhe një dron. India ende nuk e ka konfirmuar këtë informacion.
- Pakistan ka raportuar 26 të vdekur, përfshirë fëmijë, dhe 46 të plagosur.
- India ka njoftuar për të paktën 8 viktima nga granatimet e Pakistanit.
- Muajin e kaluar, në rajonin e Kashmirit janë vrarë 36 persona, shumica turistë indianë. India fajëson Pakistanin për nxitjen e sulmeve.
Konteksti historik dhe rreziku i përshkallëzimit
India dhe Pakistani, dy shtete me armë bërthamore, kanë një histori të gjatë konfliktualiteti, veçanërisht për rajonin e kontestuar të Kashmirit. Të dyja palët kanë zhvilluar disa luftëra që nga pavarësia e tyre në vitin 1947 dhe kanë një marrëdhënie të brishtë të armëpushimit në këtë zonë të tensionuar.
Incidenti i fundit vjen në një kohë të brishtë, duke ngritur shqetësime ndërkombëtare për mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak.