Hysen Hyseni, kryetar i Bashkisë Hebreje BET Israel – Kosova, ka thënë se nga ajo çfarë është parë duke ndodhur në luftimet në mes të Izraelit dhe Hamasit, është përjetuar sërish një “Holokaust”.
Kështu është shprehur ai në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, teksa është pyetur se si u zu në befasi Izraeli gjatë sulmit të së shtunës.
“Ky sulm dhe kjo gjendje aktuale është shumë komplekse. Ajo që është më e keqja është se ne kemi kujtuar një holokaust prapë, janë prekur fëmijët, gratë, pleqtë, rinia në një festival, integriteti i riteve fetare. Mënyra dhe çka ka ndodhur atje është e barabartë me Holokaustin, një terror i nivelit më të ultë që mundet të ndodhë”, u shpreh ai.
Qindra njerëz janë vrarë e mijëra të tjerë janë plagosur që nga mëngjesi i 7 tetorit kur Izraeli u sulmua nga grupi militant Hamas.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se shteti i tij është “në luftë” dhe paralajmëroi goditje të fuqishme ndaj grupit militant Hamas, luftëtarët e të cilit kaluan kufirin tokësor dhe u përleshën me forcat izraelite.
SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera të botës i dhanë mbështetje Izraelit në luftën kundër militantëve të Hamasit.