Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që edhe sivjet të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore
Në një postim në rrjetin social Facebook, Kastrati s’ka kursyer fjalët e rënda ndaj Qeverisë Kurti, duke i quajtur pushtet kriminelësh e banditësh të korruptuar, që sipas tij vendosën ta vazhdojnë dhunën psikike e fizike ndaj prindërve e nxënësve edhe këtë shtator.
“Ky pushtet kriminelësh e banditësh të korruptuar vendosi sot ta vazhdojë dhunën psiqike e fizike ndaj prindërve e nxënësve edhe këtë Shtator. Prindërit e nxënësit do të dhunohen në radhët e gjata para librarive në temperatura të larta për shkak të tekave e agjendave personale të Nagavcit”, shkroi ai.
Kastrati më tej ka thënë se Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, do të vazhdojë punën në shtator, teksa ka shtuar se Prokuroria Speciale duhet ta hetojë ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.