Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Arsimit për vitin 2024 janë evidentuar parregullsi serioze në procesin e subvencionimit të librave shkollorë.
Sipas saj, mbi 60 mijë euro janë dhënë për qytetarë që nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara.
Ajo nënvizoi se mbikëqyrja e dobët ka sjellë deri te shpërndarja e subvencioneve në mënyrë të padrejtë.
“Për këtë kemi folur edhe në konferencën paraprake, për pasqyrat financiare të MASHT-it për vitin 2024 është publikuar në qershor 2025. Aty kemi prezentuar mangësitë sa i përket çështjeve që ndërlidhen me subvencionimin e librave. ZKA-ja ka identifikuar mbi 60 mijë euro janë dhënë si subvencion apo kanë aplikuar qytetarë të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për fëmijët e tyre që të marrin subvencionimin për libra. Kjo ka ndodhur si pasojë e kontrolleve jo të mira nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit e cila e ka zhvilluar këtë praktikë”, tha Spanca.
Ajo shtoi se ka pasur edhe aplikime të tjera në vlerë 70 mijë euro, që ka qenë e pamundur të identifikohen se për cilën shkollë kanë aplikuar.
Spanca theksoi se tashmë Ministria ka ndërmarrë hapa korrigjues për këtë vit shkollor.
“Po ashtu ka qenë edhe një numër i qytetarëve që kanë aplikuar, vlera e tyre ka qenë 70 mijë euro, nuk mund të themi që nuk i kanë plotësuar kriteret por ka qenë e pamundur se për cilën shkollë kanë aplikuar. Stafi ynë ka biseduar me ministrin dhe aq sa kemi informacione për këtë sezon që ka filluar tashmë viti MASHT ka ndërmarrë hapa në bashkëpunim me nivelin lokal dhe kanë obliguar shkollat në komunë që t’i verifikojnë paraprakisht cilët nxënës vijojnë shkollimin në shkollë”, tha ajo.
Spanca i bëri këto deklarata në një konferencë për media, ku u prezantuan rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024, raporton EO.