Sot vazhdon protesta në mbrojtje të Zvërnecit
Protesta kundër zbatimit të projektit ku pritet ndërtimi i një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, pritet të vazhdojë edhe sot në orën 18:00.
Tubimi i djeshëm ka nisur me tensione ku policia kishte vendosur gardhe metalikë.
Në kor, protestuesit artikuluan një sërë sloganesh, mes tyre thirrje për dorëheqje të qeverisë, akuza ndaj klasës politike dhe kundërshtim të projektit që po zhvillohet në zonën e mbrojtur. Në protestë u dëgjuan gjithashtu sloganet: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Opozitë e shitur” dhe thirrje të tjera drejtuar figurave politike.
Kjo është dita e pest[ radhazi e protestave kundër projektit në Zvërnec. Qytetarët dhe aktivistët kërkojnë ndalimin e investimit, duke argumentuar se ai cenon një zonë me vlera të veçanta natyrore dhe mjedisore. Nga ana tjetër, qeveria e konsideron projektin një investim strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.