Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Sot shënohet 78-vjetori i masakrës së Tivarit

    30/03/2023 08:19
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Sot bëhen 78 vjet nga masakra më e madhe e kryer ndaj shqiptarëve në Tivar, e cila ndodhi më 30 mars 1945.

    Lufta Nacionalçlirimtare apo Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë. Populli shqiptar, i gjendur dhe i rivendosur pa dëshirën e tij në Jugosllavi, megjithatë shpresonte se gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën. Shpresonte për bashkimin me shtetin amë dhe shpresonte për lirinë e fituar në luftë me gjak. Por, në vend se ta gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar e realizuar masakra masive kudo.

    Pranvera e atij viti kishte ardhur e zezë si nata, skëterrë. Numëroheshin njëra pas tjetrës masakrat, vrasjet masive, burgosjet dhe plaçkitjet e një populli të lodhur nga lufta, nga varfëria dhe nga robëria e gjatë.

    Në dimrin e ftohtë të vitit 1945 “çlirimtarët” jugosllavë iu kishin vërsulur nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për t’i gëlltitur ato. Kurse, për ta bërë gllabërimin më të lehtë, njësitë vendore partizane, si aradhet, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë.

    Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar ata në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se në frontet e luftës, në muajt mars – prill 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazez kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët – rekrutët duarthatë shqiptarë.

    Regjimi serb – jugosllav më 8 shkurt 1945 vetëm në Kosovë kishte vendosur administratë ushtarake, e cila udhëhiqej plotësisht nga ushtarakët serbo – malazezë. Me urdhër të veçantë të kreut ushtarak jugosllav, kishte filluar edhe mobilizimin e dhunshëm të shqiptarëve. Të mobilizuarit ishin ndarë në dy pjesë; një pjesë u dërgua në Frontin e Sremit, kurse pjesa tjetër në Frontin e Adriatikut (mbi 22 mijë ushtarë). Pjesa e dytë e të mobilizuarve apo e rekrutëve shqiptarë u grumbulluan fillimisht në Prizren, ku qëndruan disa ditë, ku u çarmatosën dhe ku u ndanë në eshalonë e njësi tjera ushtarake. Pastaj vazhduan rrugën drejt Tivarit, nëpër Kukës, Fushë-Arrës, Pukë e Shkodër, por me komandën serbe të Divizionit 46-të të Serbisë. Gjatë rrugës këmbë e nëpër të ftohtë, pa ushqim dhe duke mos lejuar ta shuanin etjen, u vranë disa qindra ushtarë shqiptarë. Me të arritur në Tivar, më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve – rekrutë shqiptarë.

    Aty janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi katër mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngulfatjes me gaz helmues, në Raguzë (Dubrovnik), janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në qytetin e Tregurit (Trogirit) në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 shqiptarë – ushtarë rekrutë. Numri i saktë i ushtarëve – rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar, në qytetet e Tivarit, të Raguzës e të Tregurit, asnjëherë nuk është mësuar.

    Politika e pushtet mbajtësve të rinj serbë – jugosllavë nuk ndryshonte thuajse aspak nga politika shfarosëse e regjimeve serbe të paraluftës. Shqiptarët akuzoheshin padrejtësisht. Ndaj tyre udhëheqja politike e ushtarake serbe, malazeze e maqedonase kishte krijuar një qëndrim tendencioz dhe disponim thellësisht armiqësor, që reflektonte më vonë, gjatë të gjitha zhvillimeve politike për Kosovën, me veprime të padrejta, me veprime shoviniste e fashiste; duke e “zhvlerësuar” Rezolutën e Bujanit, duke vendosur administratë ushtarake, duke e manipuluar e dhunuar votën në Konferencën e Prizrenit, duke dërguar në Kosovë njësi ushtarake nga Serbia e nga Maqedonia për të bërë krime, duke e çarmatosur popullsinë vendore, duke bërë arrestime të shumta, duke hapur dosje për secilin intelektual dhe shqiptar patriot, duke i eliminuar shqiptarët nga pushteti dhe administrata, duke e bërë mobilizimin e dhunshëm vetëm të shqiptarëve, duke masakruar ushtarët – rekrutët e mobilizuar, por edhe popullsinë duarthatë, duke i dërguar shqiptarët nëpër frontet e luftës jashtë Kosovës e për t’i përdorur ata si “mish për top”, duke i detyruar të shpërnguleshin në Turqi.

    Ishte thënë se mobilizimi po bëhej për plotësimin e njësive ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë për pjesëmarrje në operacionet çlirimtare. Por, të mobilizuarit shqiptarë nga Kosova dhe pjesa shqiptare e Maqedonisë nuk u dërguan në frontet e luftës, as në operacionet për çlirimin e Jugosllavisë.

    Ata, në vend se në frontet e luftës, u vranë nga eprorët e tyre, nga komanduesit e tyre, duke përjetuar golgotën e vuajtjeve të pambarim e të vrasjeve të pashembullta në histori, si gjatë rrugëtimit “për në frontet e luftës”, ashtu edhe në vendet (e planifikuara) për vrasjen masive të tyre; në Tivar, në Raguzë, në Tregur.

    Të mobilizuarit shqiptarë – rekrutët e çarmatosur kishin mbetur rrugëve, kishin mbetur nën komandën dhe nën mëshirën e eprorëve dhe të ushtarëve serbë.

    Ata ishin të këputur e të lodhur, të uritur e të etshëm, pa ushqim, pa kujdes dhe në kushte tepër të vështira. Prandaj, vrasjet masive në Tivar, në Raguzë e në Tregor kishin përmasa të krimeve të papara e tepër monstruoze, kishin përmasa të masakrave e të gjenocidit. Këto vrasje nuk mund të cilësohen ndryshe, pos si shfryrje të epsheve shoviniste e fashiste të kreut ushtarak e politik jugosllav, e veçanërisht të kreut serb, malazez dhe maqedonas, përgjegjës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve tragjike.

    Artikuj të ngjashëm

    E la gurbetin pas 22 vitesh dhe u kthye në Kosovë, qytetari investon mbi 50 mijë euro me motora ATV në Istog

    Qytetari kthehet nga mërgimi dhe hap fermën e lopëve: 4000 mijë euro kam fitim vetëm nga qumështi

    Pamje nga grᶏbítjᶏ në një barnatore në Pejë, hᶏjdutí i merr paratë dhe sulɱoɳ punëtoren

    Të Fundit

    Abdixhiku: Do të shkoj në takim me Osmanin sapo të ftohem, presidentja duhet të ketë qëndrim për situatën

    Memli Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen në takimin e nesërm me Vjosa Osmanin

    Polici Argjend Kastrati dënohet me 4 vite burg për aksidentin që i mori jetën Zana Gjevukajt

    Pas seancës, deputetët e PDK-së po qëndrojnë në sallën e Kuvendit

    “Kemi ndryshuar qëndrim”, Çka ndodhi në foltore kur doli Time Kadrijaj? Dehari: “Ndalja mikrofonin” – “E kemi një emër për propozim”

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.