Sot është ditëlindja e Heroit të Kosovës Agron Mehmetaj.
Agron Mehmetaj sot ka ditëlindjen, po të ishte gjallë ai do të mbushte 43 vjet.
Ai ka lindur më 2 nëntor të vitit 1978 në Gllogjan të Deçanit. Ishte djali i tretë i Nimonit dhe Zyrafete Mehmetaj.
Shkollën Fillore dhe atë të Mesme i kreu në Rrezar (ish-Irzniq), ndërsa në vitin akademik 1997/98, u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Teknik, Dega e Makinerisë.
Gjatë kësaj kohe Agron Mehmetaj mori pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat e përgjakshme studentore të organizuara në Prishtinë, sidomos prej 1 tetorit të vitit 1997.
Agron Mehmetaj në fund të vitit 1997, lë Prishtinën, braktisë studimet, duke u arsyetuar se në vitin e ri akademik do të shkojnë bashkë me Gazmendin.
Agroni kthehet në Gllogjan, për t’iu bashkuar radhëve ilegale të UÇK-së, për të punuar e vepruar me vetëmohim në çdo detyrë të ngarkuar, duke u qëndruar besnik idealeve të atdheut, deri në rënien e lavdishme më 24 mars 1998, duke hyrë në histori si njëri ndër tre dëshmorët e kësaj beteje, si njëri ndër tre dëshmorët e parë të luftës frontale në Dukagjin, i rënë së bashku me dëshmorët Gazmend Mehmetaj e Himë Haradinaj, në mbrojtje të nxënësve të shkollës fillore “Hasan Prishtina” të Gllogjanit.
Agron Mehmetaj në vend të diplomës së Universitetit, pa i mbushur 20 vjet, shpejtoi të marrë diplomën më të shtrenjtë, diplomën e përjetësisë, të vulosur me gjakun e tij të pastër – Dëshmor i Lirisë.
Heronjtë e Kosovës kanë vetëm ditëlindje!