Janë mbyllur zyrtarisht vendvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Me të përfunduar, EXIT POLL-i i gazetarit Baton Haxhiut ka publikuar rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve.
Sipas anketimit, LVV del e para me 37.45%, PDK e dyta me 23.7% dhe LDK e treta me 20%. Kurse AAK 8%.
Nëse përkthehet në ulëse, i bie që VV t’i ketë 42 ulëse në Kuvend, PDK 26, LDK 23 ulëse dhe AAK 9 ulëse.
Haxhiu tha se marzha e gabimit nuk mund të jetë më shumë se 1.5%.
“Në gjithë botën exit polli nuk e ka marzhën e gabimit më shumë se 3%, ne e kemi 1.5%”, tha ai.
Kujtojmë që votat e diasporës nuk janë llogaritur në këtë sondazh.
Ndërkohë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media më herët deklaroi se rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme parlamentare në Kosovë do të dihen “shumë më shpejt”, për dallim prej herave të kaluara.
“Po shpresojmë që, duke pasur parasysh që numërimi i fletvotimeve në vendvotime do të bëhet vetëm për pjesën e fletvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur subjektet politike, do të bëhet më shpejt – sepse nuk do të kemi numërimin e pjesës së fletvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur edhe kandidatët për deputetë, po shpresojmë që brenda një kohe të shpejtë të arrijmë t’i kemi rezultatet preliminare nga vendvotimet për subjektet politike”, tha Elezi.