Në kuadër të projektit “Promovimi i Vlerave Humane” nga Kryqi i Kuq, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit – Drenas, u realizua me sukses aktiviteti humanitar “Vaksinimi” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, transmeton Demos.
Ky aktivitet u karakterizua nga një angazhim i gjerë komunitar dhe përfshirje aktive e nxënësve të gjimnazit “Gj.K. Skënderbeu”, psikologes së shkollës znj. Ganimete Shala Gjokaj, si dhe zyrtarit të Kryqit të Kuq, z. Egzon Morina. Aktiviteti shënon fillimin e një prej katër projekteve që ky ekip ka në mision për të realizuar.
Përmes bashkëbisedimeve dhe këshillimeve të drejtpërdrejta me prindër nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, u arrit të ndërgjegjësohen dhe të binden për rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve të moshës 0–5 vjeç, të cilët kishin mbetur pa vaksina për shkak të kushteve të vështira sociale dhe ekonomike.
Një falënderim i veçantë i është drejtuar z. Suad Ademi, përgjegjës i komunitetit lokal, për kontributin dhe angazhimin në terren, si dhe ekipit mjekësor për profesionalizmin dhe përkushtimin: Dr. Rukije Kuqi, infermierja Luljeta Nura dhe infermieri Ekrem Breznica.
Nxënësit pjesëmarrës u ndjenë të motivuar dhe të vlerësuar për rolin e tyre në këtë nismë me karakter human dhe edukues. Aktiviteti synon jo vetëm të ndihmojë drejtpërdrejt komunitetet në nevojë, por edhe të zhvillojë ndjeshmërinë sociale dhe përgjegjësinë qytetare te të rinjtë.