Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka thënë se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.
Ajo tha se këto konstatime kanë ardhur pas takimeve me mullisët e vendit.
“Në takim me mullisët na kanë siguruar që Kosova ka miell edhe për 3 deri në gjashtë muaj. Madje edhe sot na thanë se Kosova nuk ka nevojë për panik”, ka thënë ajo.
Më tutje ministrja tha se kanë siguruar edhe nga vendet e tjera zotime për furnizim me miell në rast se Kosova mbetet pa rezerva të grurit.
“Kemi edhe vende mike që sigurojnë se do ta ndihmojnë Kosovën me furnizime shtesë nëse ka nevojë pas disa muajsh”, tha më tutje ajo.
Se nuk ka nevojë për panik e tha edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Duhet t’i sigurojmë qytetarët që nuk ka nevojë për panik. I kemi parë sot radhët e gjata para fabrikave të miellit. Ma kujtuan marsin e vitit 2020. Nuk ka nevojë për panik. Jemi siguruar mjaftueshëm dhe kemi siguruar kanale për furnizim në rast se ka mungesë”, ka thënë Murati.