Autoriteti i Aeroportit të Izraelit ka njoftuar se hapësira e tyre ajrore mbetet e mbyllur për ulje dhe ngritje në Aeroportin Ben Gurion, për shkak të situatës së sigurisë.
Çdo njoftim për rihapjen e fluturimeve do të bëhet me një paralajmërim gjashtë orë përpara, thuhet në përditësimin e fundit.
Në një deklaratë zyrtare, autoriteti bëri të ditur se po bashkëpunon me kompanitë ajrore izraelite për një plan të strukturuar, të përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Autoriteti i Aviacionit Civil, për të kthyer në atdhe shtetasit izraelitë të bllokuar jashtë vendit.
”Të gjitha ekuipazhet dhe avionët janë gati për veprim sapo të krijohen kushtet e nevojshme,” thuhet në deklaratë. “Megjithatë, kjo mund të zgjasë, në varësi të gjendjes së sigurisë”.
Një vendim për rifillimin e fluturimeve drejt dhe nga Izraeli do të merret vetëm kur të konsiderohet se situata është e sigurt.
Ndërkohë, kalimet tokësore drejt Jordanisë dhe Sinait mbeten të hapura për trafik pasagjerësh dhe mallrash.