Siria e dënon vizitën e Netanyahut në territorin jugor të saj të pushtuar nga Izraeli
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i vizitoi trupat e vendit të tij që janë dislokuar në jug të Sirisë, duke nxitur një dënim të ashpër nga qeveria në Damask, e cila vizitën e cilësoi shkelje të sovranitetit.
Izraeli e zgjeroi praninë e vet ushtarake në jug të Sirisë pas rrëzimit të Bashar al-Assadit nga pushteti para gati një viti, duke kapur pozicione në lindje të një zone neutrale të patrulluar nga OKB-ja, që e ndan Rrafshnaltën e Golanit të pushtuar nga Izraeli me territorin sirian, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
I veshur me jelek antiplumb e helmetë, Netanyahu të mërkurën i vizitoi trupat në territorin sirian, sipas fotografive të publikuara nga zyra e tij. Ai e përsëriti zotimin e Izraelit për ta mbrojtur pakicën druze të Sirisë.
“Ne i vëmë rëndësi të pamasë aftësive tona këtu, mbrojtëse dhe sulmuese, për ruajtjen e aleatëve tanë druze dhe sidomos për ruajtjen e Shtetit të Izraelit dhe kufirit të tij verior përballë Rrafshnaltës së Golanit” – iu tha Netanyahu ushtarëve, sipas një deklarate të zyrës së tij.
“Ky është një mision që mund të zhvillohet në cilindo moment, por ne jemi duke llogaritur në ju” – shtoi kryeministri izraelit.
Qeveria siriane tha se vizita e Netanyahut është “shkelje serioze e sovranitetit dhe unitetit sirian” dhe e cilësoi atë përpjekje për të “imponuar një fait accompli [punë të kryer]”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Qeveria e Izraelit.
Izraeli e kishte kapur Rrafshnaltën e Golanit nga Siria në luftën e vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi atë. Ky aneksim nuk njihet nga shumica e shteteve. Siria ka kërkuar që Izraeli të tërhiqet në zonën neutrale fillestare, por zyrtarë të lartë izraelitë kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga pozicionet e reja.
Me muaj, Siria ka qenë në bisedime me Izraelin, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për të arritur një marrëveshje të sigurisë me të cilën Damasku shpreson se do t’i kthente prapa kapjet e reja të territoreve të saj nga Izraeli, por se pakti nuk do të përbënte traktat të plotë të paqes.