Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka thënë se ka njoftuar përfaqësitë diplomatike dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve për kolapsin financiar në RTK.
Sindikata ka thënë se RTK ndodhet përballë një kolapsi financiar, si pasojë e mos alokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, gjë që rrezikon funksionimin e rregullt.
“SPERTK ka theksuar në komunikimet e saj se mosveprimi i institucioneve shtetërore po e vë në rrezik serioz të ardhmen e transmetuesit publik, duke kërkuar nga të gjithë faktorët vendimmarrës që urgjentisht të zhbllokohet buxheti dhe të garantohet vazhdimësia e punës dhe e pagave për punonjësit e RTK-së”, thuhet në komunikatë.
Sindikata në nëntor 2024 ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkak të zvogëlimit të buxhetit me 2 milionë euro, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Sindikata ka paralajmëruar se nëse buxheti nuk alokohet deri më 5 gusht 2025, SPERTK paralajmëron nisjen e padive ligjore dhe protestave nga 6 gushti.