Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Si votuan serbët e Kosovës?

    19/12/2023 08:30
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Mirosllav Radomiroviq nga Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mori “mbështetjen absolute” të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 17 dhjetorit, por se askush në qytetin e tij nuk e di se “kush janë ata që e kanë votuar”.

    Ai thotë se bashkëqytetarët e tij e përmendin Vuçiqin vetëm në “aspektin negativ”, për shkak të të gjitha ngjarjeve dhe krizave në veri të Kosovës, viteve të fundit.

    “Ndjejmë aq shumë trishtim e zemërim që nuk kemi mundur të votojmë këtu [në territorin e Kosovës], por në Rashkë. Do të ishte më mirë që askush nga ne të mos shkonte atje për të votuar”, thotë Radomiroviq.

    Qeveria e Kosovës nuk lejoi që zgjedhjet e Serbisë të mbahen në territorin e Kosovës pa një kërkesë të drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar. Kështu, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova – disa të organizuar me autobusë, e disa me makina private – votuan në qytetet kufitare të Serbisë: Kurshumli, Rashkë, Vranjë dhe Tutin.

    Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë, të drejtën e votës në këto qytete e shfrytëzuan 23.878 votues nga Kosova, ose rreth 25 për qind e atyre me të drejtë vote.

    Gati 72 për qind ose rreth 17 mijë prej tyre votuan listën “Serbia nuk duhet të ndalet”, e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Përqindje të ngjashme të mbështetjes nga serbët e Kosovës përmendi edhe vetë Vuçiq, mbrëmjen e 17 dhjetorit.

    Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, Lista zgjedhore “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” mori rreth 9 për qind të votave të votuesve nga Kosova, ndërsa lista “Serbia kundër dhunës” 4.36 për qind.

    Mbështetja për Vuçiqin në zgjedhjet e kaluara

    Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Serbisë, në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në prill të vitit të kaluar në Serbi, Aleksandar Vuçiq mori rreth dhjetë për qind mbështetje më shumë, gjegjësisht rreth 80 për qind të votave të serbëve në Kosovë. Në atë kohë votuan gati 20 mijë votues, ose 20 për qind e numrit të përgjithshëm, ndërsa për Vuçiqin votuan 15.851.

    Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën edhe në prill të vitit 2022, ku lista “Aleksandar Vuçiq – Së bashku mund të bëjmë gjithçka” mori rreth 12 mijë vota të votuesve nga Kosova, ose rreth 64 për qind.

    Çfarë thonë tjetër qytetarët e Kosovës?

    Radovani nga Mitrovica e Veriut beson se Vuçiq “është më bindës” kur bëhet fjalë për elektoratin në Kosovë.

    “Populli është i pakënaqur, jeta është e vështirë, politika ka hyrë në çdo shtëpi, ka përçarje brenda një familjeje. Së dyti, pensionistët jetojnë shumë keq, çmimet po rritet, fëmijët nuk kanë ku të punojnë”, thotë ai.

    Ai thotë se “as Vuçiq nuk ka shkop magjik”, por se “ne nuk e dimë më çfarë të mendojmë”.

    Dragica, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, beson se Vuçiq e ka mbështetjen absolute të serbëve nga Kosova dhe shpreson për një të ardhme më të mirë.

    Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe Momirka nga Graçanica – komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës.

    Sipas saj, këto rezultate preliminare, në fakt, tregojnë se “serbët nga Kosova i besojnë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”. Ajo shfaq shpresën se ai “do të vazhdojë me politikë të mirë”.

    “Unë pres që të përmirësohet… po bëhet më mirë, por nuk mund të bëhet menjëherë”, thotë ajo.

    Dragani thotë se nuk sheh ndonjë perspektivë më të mirë. Sipas tij, “është bërë rutinë” që serbët nga Kosova të votojnë për Vuçiqin dhe partinë e udhëhequr deri vonë prej tij – Partinë Përparimtare Serbe.

    I pyetur se çfarë pret, ai thotë: “absolutisht asgjë”, por shton se “do të donte që institucionet serbe të mbijetonin në Kosovë”.

    Si votojnë serbët e Kosovës?

    Politologu serb, Ognjen Gogiq, thotë se serbët nga Kosova, në përgjithësi, votojnë për partinë në pushtet në Serbi dhe në këtë kontekst, shton ai, Vuçiq e ka mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës.

    “Por, nga ana tjetër, duhet t’i kemi parasysh rrethanat në të cilat u zhvillua ky votim, e që nuk janë specifike vetëm për serbët e Kosovës, por edhe për qytetarët në Serbi. Pra, bëhet fjalë për lirinë që kanë qytetarët për të vendosur se kujt t’ia japin votën”, thotë Gogiq.

    Ai shton se serbët në Kosovë as që kanë pasur mundësi të shprehin mbështetje për opozitën, sepse “janë të varur financiarisht nga Beogradi”.

    Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucione të Serbisë dhe pagat e punëtorëve të tyre ndahen nga buxheti i Serbisë.

    Më 14 dhjetor, REL shkroi për disa pretendime se këto institucione janë “angazhuar” për të mbledhur mbështetje për Vuçiqin.

    Ellek, në fund të tetorit, u zgjodh kryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe.

    Gjatë dhënies së kontratave, ai u bëri thirrje punonjësve të Qendrës Klinike Spitalore që më 17 dhjetor të jenë të bashkuar dhe “të mos e lejojnë Serbinë të ndalet”.

    REL-i u përpoq të merrte një koment nga Elleku për rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, por pa sukses. Ndërkohë, ai u tha mediave lokale se rezultatet nuk e befasuan, sepse “serbët nga Kosova i besojnë presidentit Vuçiq”.

    A do të ndryshojë politika ndaj Kosovës?

    Politologu Ognjen Gogiq thotë se Serbia dhe Qeveria e re do të duhet t’i zbatojnë obligimet e tyre nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, i cili zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Sipas tij, Vuçiq, në njëfarë mënyre, është përpjekur “të blejë kohë” gjatë zgjedhjeve, për të shmangur zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, që për synim ka normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Ky dokument u pranua nga të dyja palët në shkurt, ndërsa për aneksin e zbatimit ato u dakorduan në muajin mars, në Ohër.

    Por, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Përparimtare Serbe kanë thënë se “nuk do të lejojnë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

    “Serbia do që ta shtyjë përmbushjen e obligimeve të saj deri në momentin kur vëmendja e komunitetit ndërkombëtar të mos përqendrohet në Kosovë”, thotë Gogiq, duke aluduar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në SHBA dhe për Parlamentin Evropian.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha të hënën se serbët nga Kosova “e përkrahin politikën shtetformuese të presidentit Vuçiq” dhe “e njohin luftën e tij këmbëngulëse dhe të palëkundur për interesat tona kombëtare në Kosovë dhe Metohi”.

    “Shteti i Serbisë do të vazhdojë ta mbështesë edhe më fuqishëm popullin tonë në krahinë dhe të luftojë për paqen dhe sigurinë e tij”, tha Petkoviq.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, autoritetet në Kosovë nuk e kanë komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.

    Artikuj të ngjashëm

    Vuçiq e Dodik me flamuj serbë e rusë në përballjen Zvicër-Serbi, politikani serb: Turp, hajde në Prishtinë shpalose flamurin rus

    Konvertimi i patentëve, serbët: Jetojmë në Kosovë, ta respektojmë ligjin

    Mbi 1 mijë vetura pajisen më targa RKS në veri

    Të Fundit

    Vajza e Ismail Kadaresë shkarkohet nga detyra si ambasadore në UNESCO

    Zjarri në Prishtinë, Rama në terren: Zjarrfikësit janë heronjtë që e mbajnë të sigurt kryeqytetin

    Gjeorgjia rrezikon liberalizimin e vizave, BE: Qeveria po shkel vlerat evropiane

    Raportohet për tërmet në Kosovë

    ”Dy banesa u përfshin nga flakët”, detaje të reja rreth zjarrit në Prishtinë

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.