Ish-operativisti shqiptar në shërbimin shtetëror jugosllav, Sherif Krasniqi, në pjesën e dytë të emisionit n’Demos ka folur edhe për betejën mes Tahir Mehës dhe njësisë speciale serbe, shkruan Gazeta Demos.
Ai tha se luftimi mes tyre ka zgjatu rreth 15 deri në 20 minuta.
“Vrasja, shtënia me armë reciproke nga Tahiri dhe Policia, luftë e vërtetë ka zgjatë 15 deri në 20 minuta, hiç ma tepër”, u shpreh ai.
Tutje Krasniqi tha se pas kësaj ka mbretëruar një qetësi sepse nuk dihej se çfarë ka ndodhur me Tahir Mehën.
“Një qetësi, tu mos pas informata çka ndodhi me fatin e Tahirit, a është i alivanosur, apo është vra në katin e epërm, thirret një mjet special ushtarak, një mjet i blindun ushtarak, i cili shtie në drejtim të shtëpisë, por shtëpia ka qenë prej tullave të pjekuna, ka qenë rezistente”, potencoi mes tjerash ish-operativisti i UDB-së në emisionin n’Demos.
Më tej Krasniqi rrëfeu edhe për mënyrën se si është vrarë Tahir Meha.
“Ka ardh mramja, qetësi, kur ka ra terri, rrethi i gjanë i shpisë ka qenë aktiv akoma prej policisë, është pa një siluetë që dul prej shtëpisë nëpër oborr, kanë shti me armë e kanë vra, kur kanë kqyr Tahiri. Dmth Tahiri është vra në mramje, kah ora 8-9”, tha ai.
Krasniqi theksoi se atë ditë, më 13 maj të vitit 1981, u vranë Tahir Mehaj me babanë e tij, tre policë të njësisë speciale, dhe një polic i njësisë vendore./GazetaDemos/