Me një eksperiencë të çmuar dhe me njëzet e tetë vite si mantelbardhë, Dr. Kubati – Ajeti, në një intervistë për Gazetën Shneta ka shpalosur pasionet dhe fushën e specializimit të cilën e zotëron me plot përpikëri dhe përkushtim të lartë ndaj shëndetit të syve e veçanërisht tek fëmijët.
Dr. Kubati – Ajeti, ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetit e Prishtinës “Hasan Prishtina” në vitin 1996. Për të vazhduar më pas me specializimin e Oftalmologjisë të cilin e përfundon me sukses në vitin 2004 dhe nga i njejti vit punon si specialiste e Oftalmologjisë në Klinikën e Syve në QKUK. Ndërsa në vitin 2006 ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull: “Ndikimi i Anomalive të Refraksionit në Manifestimin e Strabizmit Konkomitant”.
Mes shkencës dhe mjekësisë, angazhimeve dhe kërkimit të vazhdueshëm të njohurive, Dr. Kubati – Ajetin e gjejmë edhe si asistente në Katedrën e Oftalmologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ndër të tjera, aftësimin profesional në lëminë e Strabologjisë e kreu pranë Prof. dr. sci. Orhan Kubati. Gjatë 15 viteve të fundit ka punuar kryesisht me fëmijë.
Interesimi i lartë në Oftalmologjinë Pediatrike ka bërë që të jetë e pranishme në shumë kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare me shumë punime si autore dhe ko-autore. Dr. Kubati-Ajeti poashtu ka përfunduar trajnimin në kirurgjinë refraktare në Poliklinikën “Svjetlost” në Zagreb të Kroacisë. Prej vitit 2008 punon ne Spitalin e Syve KUBATI.
Nga rrugëtimi i artë dhe shkëlqimi shkencor që mban mbi supe, ne dëshiruam të mësojmë më shumë rreth çështjes së strabizmit tek fëmijët. Strabizmi është një defekt kordinimi ose drejtimi i syve. Rreth përkufizimit më të zgjeruar dhe mënyrës së trajtimit, Dr. Kubati – Ajeti na tregon hollësisht dhe qartaz se çfarë duhet të dinë të gjithë prindërit rreth tematikës së strabizmit që haset shpesh tek fëmijët.
Gazeta Shneta: Çfarë nënkuptojmë me termin strabizëm dhe si ndikon kjo gjendje tek fëmijët?
Dr. Mirlinda Kubati – Ajeti: Strabizmi është një gjendje te e cila sytë nuk janë paralel dhe shoqërohet edhe me ndryshime senzoriale, ambliopi (sy dembel) dhe anomali të pamjes binokulare. Te këta pacientë sytë nuk mund të drejtohen njëkohësisht në drejtim të objektit të cilin e shikojnë. Pra ka devijim të njërit apo dy syve. Shikimi te fëmijët zhvillohet që nga lindja deri në moshën 8-9 vjeçare. Nëse kjo gjendje nuk trajtohet, prej moshës fëmijërore të hershme, vie deri tek ambliopia (syri dembel).
Cilat janë shenjat dhe simptomat e strabizmit?
Simptomat e strabizmit janë devijimi i kohë pas kohshëm (intermittent) ose manifest i syrit. Devijimi mund të jetë vetëm i njërit sy ose devijim alternant (here njëri sy – here tjetri).
Cilat janë llojet e strabizmit tek fëmijët?
Strabizmi mund të jetë konkomitant ose paralitik. Te format e strabizmit konkomitant këndi i devijmit është i njejtë në të gjitha drejtimet e shikimit. Ndërsa te strabizmi paralitik (inkomitant/restriktiv) këndi i devijimit ndryshon në varësi të drejtimit të shikimit. Format kryesore të strabizmit konkomitant që i hasim në praktikë janë:
- Esotropia – Syri devijon në drejtim të hundës.
- Exotropia – Syri devijon në drejtim të veshit.
- Hypertropia – Njëri sy është i drejtuar/pozicionuar më lartë se tjetri.
- Hypotropia – Njëri sy është i drejtuar/pozicionuar më poshtë se tjetri.
Çfarë testesh diagnostike do të kryeni për të konfirmuar strabizmin?
Strabizmi diagnostikohet përmes testeve të ndryshme. Fillimisht përcaktohet prania e refleksit të dritës në qendrën e kornesë (pjesës së përparme të tejdukshme të syrit), pastaj bëhet testi i mbulimit të syrit (cover test) për të përcaktuar devijimin, testohet lëvizshmëria e njërit sy dhe të dy syve bashkë në të gjitha drejtimet si dhe testohet ridrejtimi i syve me anë të xhamave special (prizmave).
Si e bëni dallimin midis pseudostrabizmit dhe strabizmit të vërtetë?
Strabizmi përfshinë të gjitha rastet kur ekziston devijmi i syrit, i cili mund të vërtetohet përmes testeve diagnostike të përmendura me lartë. Te rastet me pseudostrabizëm sytë janë të drejtë, mirëpo mund të duken se devijojnë (kryesisht në drejtim të hundës) për shkak se fëmija e ka rrënjën e hundës më të gjerë, ose kanë palë lëkurore të kapakëve ne pjesën pranë hundës.
Cilat janë opsionet e trajtimit jo-kirurgjikal për fëmijët me strabizëm?
Pas diagnostikimit të strabizmit bëhet cikloplegjia (zgjerimi i bebëzës dhe paraliza e muskulit ciliar), përcaktohet saktë dioptria dhe ekzaminohet fundusi (retina – shtresa e thellë e syrit). Ekzaminimi i retinës është shumë me rëndësi për arsye se shkak i strabizmit mund të jenë edhe shumë sëmundje organike të retinës dhe jo vetëm dioptria. Pastaj bëhet korrigjimi me syze dhe, nëse është e nevojshme, vazhdohet me okluzion (mbyllje të syrit dominant – më të fortë) në mënyrë që të zhvillohet të pamurit në syrin më të dobët. Trajtimi jo-kirurgjikal vazhdohet me muaj dhe vite me radhë.
Sa efektive janë syzet ose lentet e kontaktit në trajtimin e strabizmit tek fëmijët?
Syzet luajnë rol kyq në zhvillimin e shikimit dhe poashtu në disa lloje të strabizmit kanë ndikim edhe në drejtimin e syve.
Kur rekomandohet operacioni për strabizmin tek fëmijët?
Mosha kur vendoset për operim varet nga lloji i strabizimit.
Sa i suksesshëm është operacioni për korrigjimin e strabizmit?
Operimi i strabizmit është procedurë mjaft komplekse me rezultate të kënaqshme, por edhe me mundësi për reintervenim ndër vite.
Si ndikon trajtimi i hershëm në rezultatet afatgjata të shikimit për një fëmijë me strabizëm?
Trajtimi i hershëm është esencial në aspektin e zhvillimit të shikimit te fëmijët.
Nga cila moshë duhet të fillojnë vizitat te Oftalmologu?
Nëse fëmija është i lindur me kohë dhe prindi nuk vëren ndonjë ndryshim në sy, atëherë vizita e parë te Oftalmologu duhet të bëhet në moshën 1-vjeçare. Te rastet kur vërehet strabizmi, duhet të lajmërohen menjëherë te Oftalmologu (edhe në muajt e parë të jetës).
Sa shpesh duhet të vizitohen fëmijët me strabizëm te Oftalmologu?
Shpeshtësia e vizitave te fëmijët me strabizëm dhe anomali refraktare (dioptri), varet nga mosha dhe koha kur ka filluar të trajtohet. Te fëmijët me strabizëm te të cilët bëhet mbyllja e syrit më të fortë, vizitat duhet të jenë më të shpeshta (çdo 3-4 muaj). Pastaj vizitat mund të rrallohen (çdo 5-6 muaj), varësisht respektimit të udhëzimeve të mjekut. Pas moshës 8-10 vjeçare kontrollat rrallohen edhe më tutje (çdo 10-12 muaj).