“Është sekret publik që veriu i Kosovës ka pasur shumë armatim. Ka qenë depo e armatimit”.
Kështu e ka përshkruar drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, këtë pjesë të territorit, teksa ka folur në Radiotelevizionin e Kosovës për armatimin që gjendet vazhdimisht gjatë bastisjeve policore.
Në më pak se një javë, Policia ka gjetur dy herë armatim dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës, në aksionet e kryera pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, në Zubin Potok.Policia ka thënë se sulmi ndaj kanalit – nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj – është kryer me një sasi eksplozivi prej rreth 20-kilogramësh.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se lënda e përdorur në sulmin në kanal “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”.
Autoritetet e Kosovës fajësojnë Serbinë për futje të armatimit në Kosovë, si dhe për organizimin dhe kryerjen e sulmeve që i konsiderojnë terroriste, në kanalin e Ibër-Lepencit dhe në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë.
Beogradi mohon gjithçka, madje për sulmin e fundit ka ofruar edhe ndihmë për kryerje të hetimeve.