Çmimet e naftës u stabilizuan në 5 për qind ditën e martë, pasi Izraeli pranoi armëpushimin me Iranin pas dy javësh konflikt.
Vlera e naftës së papërpunuar “brent”, që është dhe guri i themelit për çmimet ndërkombëtare, ra në 68 dollarë për fuçi, poshtë nivelit që ishte kur shteti hebre nisi sulmet më 13 qershor.
Çmimet ishin rritur në ditët e fundit për shkak të shqetësimeve se Irani mund të çorodiste tregtinë globale duke bllokuar ngushticën e Hormuzit, një aks shumë i rëndësishëm për naftën dhe gazin.
Tregjet financiare në Britani, Evropë dhe Azi pësuan rritje pasi presidenti Donald Trump deklaroi se “armëpushimi ka hyrë në fuqi” dhe shteti hebre e pranoi atë.
Çmimet e naftës ishin rritur në 81 dollarë për fuçi që kur sulmet me raketa nisën, duke nxitur frikën se kostoja e jetesës mund të bëhej më e shtrenjtë pasi shpenzimet për hidrokarbure do të rriteshin.
Ekspertët kanë deklaruar se, nëse armëpushimi zbatohet, atëherë investitorët mund të presin që situata të kthehet në normalitet.
Por ata kanë shtuar se zgjatja e armëpushimit dhe kushtet e respektimit të tij nga dy palët e përfshira në konflikt do të luajnë një rol thelbësor në përcaktimin e çmimeve.
Rënia e çmimeve gjithsesi u tkurr pasi Izraeli deklaroi se Republika Islamike kishte shkelur armëpushimin duke qëlluar raketa.