Dëshmitari Rrustem Tetaj deklaroi në Hagë se frazën e Hashim Thaçit “shumë shpejt do ta kryej me ty”, që pretendon se e kishte dëgjuar në takimin me Tahir Zemajn, e kupton si të momentit.
Sipas tij, nuk ka qenë e lehtë në atë kohë që të thuhet ajo fjalë dhe se i ka shpëtuar Thaçit në nervozë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë e kuptoj që ka qenë efekt. Njeri në moment në atë kohë se është kanë bukur vështirë me i thanë ato fjalë kur të gjithë ishim të armatosur. Edhe Tahiri ka qenë i armatosur, edhe Hashimi, edhe e kishim një ushtri aty. Kështu që nëse e lyp mendimin tim, ma merr mendja që çdo gjë i ka pshtu në nervozë me atë”, tha Tetaj.
Ai tha se nuk është i sigurt se kujt i kishte drejtuar Thaçi me këtë shprehje, Tahir Zemajt apo Ahmet Krasniqit.
Ndryshe, dëshmitari Tetaj tha se më vonë ka dëgjuar që Thaçi e kishte pseudonimin ‘Gjarpri’.
Po ashtu, mohoi të ketë patur dijeni se çfarë posti kishte Rexhep Selimi gjatë luftës, e që pastaj në bazë të informimeve e di që ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
Me kaq përfunduan pyetjet e gjyqtarit Barthe për të vazhduar me pyetjet e tij gjyqtari Guénaël Mettraux.