Një shtetas turk është dërguar në mbajtje për veprën penale “prodhim dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Atij i është gjetur një sasi e botoksit që në total kap vlerën e 150 mijë eurove, siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Materiali është sekuestruar nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa në cilësi të provave nga i dyshuari janë sekuestruar edhe 11,160 euro para kesh.
”Prishtinë 28.03.2025. Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas sigurimit të provave ka ndaluar një të dyshuar mashkull shtetas turk, tek i cili kanë gjetur një sasi të materialit që përdoret në mjekësi (botoks). Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një sasi tjetër e materialit të njëjtë që është sekuestruar nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë. Vlera totale e materialit të sekuestruar sipas çmimit në treg sillet rreth 150 000 €. Në cilësi të provave materiale nga i dyshuari janë sekuestruar edhe 11 160€ para kesh. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.