Planet për një takim bilateral mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky janë në proces, ka konfirmuar të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ajo tha se aktualisht po shqyrtohen “shumë opsione”, ndërsa refuzoi të komentojë për vendndodhjen e mundshme të takimit.
“Të dy liderët kanë shprehur gatishmëri për t’u ulur me njëri-tjetrin dhe ekipi ynë i sigurisë kombëtare do të ndihmojë të dyja vendet në këtë drejtim,” deklaroi Leavitt para gazetarëve.
E pyetur nga CNN mbi ndryshimin e qasjes – nga një takim i mundshëm trepalësh në një format dypalësh – ajo tha se kjo ishte “një ide që evoluoi gjatë bisedave të presidentit me Putinin, Zelenskyn dhe liderët evropianë”, të cilët, sipas saj, “e shohin si një hap të parë të rëndësishëm”.
Leavitt shtoi se edhe presidenti amerikan Donald Trump është “pajtuar” me idenë e një takimi bilateral pa pjesëmarrjen e SHBA-së.
“Së fundi, presidenti ka thënë gjithmonë se ka çështje të mospajtimeve në këtë luftë që duhet të diskutohen e të vendosen nga këto dy vende. Prandaj, ai dëshiron që të angazhohen në diplomaci të drejtpërdrejtë,” u shpreh ajo.