Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar Izraelin se më shumë ndihma humanitare duhet të dërgohet në Gaza në mënyrë që të zbutet kriza e vazhdueshme humanitare në mes të luftës së Izraelit kundër Hamasit.
Sekretarja e shtypit për Shtëpinë e Bardhë, Karine Jean-Pierre ka thënë se ShBA-ja është e shqetësuar për operacionet ushtarake përreth vendkalimin kufitar Rafah, shkruan CNN.
“Ky nivel ndihme mbetet i pamjaftueshëm. Dhe ne duam të vazhdojmë t’i bëjmë presion Izraelit që të rrisë nivelin e ndihmës që shkon në Gaza”, është shprehur ajo.
Jean-Pierre dha gjithashtu një përditësim mbi ndihmën humanitare, duke thënë se që nga 5 prilli më shumë se 7 mijë kamionë kanë hyrë në Gaza dhe se dje kanë hyrë gati 250 kamionë nëpërmjet kalimit Kerem Shalom në jug të Gazës dhe një vendkalimi të sapohapur në veri të saj.