Tefik Mustafa është dërguar në paraburgim prej 30 ditësh sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Ai sot është vizituar nga Zyrtari Ndërlidhës i Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari. Përveç tij, nga viti 2019, shtatë kosovarë janë ndaluar nga Serbia nën dyshimet për krime lufte.
Shtatë është numri i kosovarëve që janë arrestuar nga Serbia nën dyshimin për krime lufte. Kjo është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për Gazetën Express. Bëhet fjalë për Nehat Thaçin që u arrestua në vitin 2019, Hasan Preteni po ashtu në të njëjtin vit, Nezir Mehmetaj i ndaluar në vitin 2020, Petrit Dula i arrestuar në qershor të 2022-ës, Hasan Dakaj i arrestuar më 5 janar 2024, Sadik Durakun i arrestuar më 17 prill 2024 dhe së fundmi Tefik Mustafa më 1 qershor.
Këshilltari politik i ministres së Jashtme, Leutrim Sahiti ka konfirmuar se Tefik Mustafa, Sadik Duharku, Hasan Dakaj, e Nezir Mehmetaj ende janë në burgjet serbe.
Ndërkaq, Nehat Thaçi sipas tij është liruar pas 1 muaji e gjysmë qëndrimi në burgjet e Serbisë. Edhe Hasan Preteni ishte liruar pas arrestimit në 2019. Ndërkaq, Petrit Dula u liruar në prill të vitit 2023 me një vendim të Gjykatës së Apelit, ndonëse Gjykata e shkallës së parë e Beogradit e kishte dënuar.
Ndonëse ata janë arrestuar për krime lufte, nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd i kanë vizituar rregullisht ata., njëjtë ka ndodhur edhe me të arrestuarin e fundit Tefik Mustafa.
Ai është vizituar nga ambasadori Jetish Jashari me të cilin ka diskutuar për trajtimin në burg, thotë Sahiti.
“Z. Tefik Mustafa, i arrestuar më 1 qershor 2024, sot nga Gjykata e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve dhe i cili poashtu është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Në lidhje me këtë rast Ambasadori Jashari ka vizituar sot z.Mustafa dhe ka biseduar me të rreth trajtimit në paraburgim”, ka thënë tutje ai.
Tutje ai konfirmoi se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në secilin rast të këtyre arrestimeve kërkon sqarime dhe njofton për rastet edhe ambasadorët e QUINT-it.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, përveç vizitave të rregullta në burg si dhe pjesëmarrjes në seancat gjyqësore, si dhe komunikimet me familjarët dhe avokatët mbrojtës të tyre, i ka njoftuar rregullisht përmes shkresave dhe takimeve, misionet diplomatike të akredituara në Serbi, me theks të vecantë ato të vendeve të Kuint-it. Zyra Ndërlidhëse po ashtu në secilin rast të arrestimeve të tilla, ka kërkuar zyrtarisht nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë që të njoftohet me rrethanat e rasteve të këtyre arrestimeve, duke kërkuar sqarime konkrete për arsyet e arrestimeve si dhe trajtim që autoritetet serbe e aplikojnë ndaj tyre. MPDJ ka dënuar ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të tyre dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka thënë tutje ai.
Institucionet thirrje për shmangie të kalimit përmes pikave kufitare me Serbinë
Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje që qytetarët të shmangim kalimet përmes pikave kufitare me Serbinë.
Pas arrestimit të Tefik Mustafës, MPDJ njoftoi se i ka njoftuar “misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd si dhe i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”.
Ata kanë dënuar ndalimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga Serbia, teksa kanë njoftuar edhe shtetet e QUINT-it mbi këtë veprim të Serbisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit z. Tefik Mustafa dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. MPJD për këtë arrestim ka njoftuar dhe shtetet e QUINT-it në Kosovë dhe do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Arrestimi i kosovarëve në Serbi, DASH bën thirrje për proces të drejtë ligjor
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e një individi nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte në vitet ’90, dhe bën thirrje për një proces ligjor të drejtë dhe transparent ndaj tij, dhe personave tjerë të arrestuar nën dyshimet e njëjta.
Një zëdhënëse e DASH-it e ka dhënë këtë deklaratë, në kërkesën për të komentuar ndalimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, nga autoritetet serbe, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 1 qershor.
Një gjykatë në Beograd ka marrë vendim ndaj tij për paraburgim prej 30 ditësh.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.