Shkruar nga Xhevat Hasani:
Shkas për ta shkruar këtë artikull u bë intervista e një deputeti të Partisë Demokratike të Kosovës (H.B) dhënë me 14 dhjetor 2024 një televizioni nga Shqipëria, me ç`rast ai u shpreh me „ju shqiptarët“ dhe „ne kosovarët“, kjo sikur shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës, të mos ishin pjesëtar të të njëjtit komb shqiptar, por sikur të ishin pjesëtar të dy kombeve të ndryshme: njëri shqiptar në Shqipëri dhe tjetri „kosovar“ në Kosovë.
Edhe pse jam i bindur se ai deputet me shprehjen „ne kosovarët“ ka dashur të thotë „ne shqiptarët e Kosovës“, dhe nuk ka dashur thotë ne pjesëtarët e „kombit kosovar“, edhe ashtu joekzistent, megjithatë do t`i sugjeroja atij deputeti dhe secilit shqiptarë tjetër të Kosovës, që t`i shmangen përdorimit të shprehjes „kosovar“, kosovarët“, dhe në vend të tyre ta përdorin shprehjen „shqiptarët e Kosovës“, ose sipas rastit edhe ta përdorin shprehjen „qytetarët e Kosovës“.
Shqiptarët e Kosovës në përgjithsi dhe sidomos ata që punojnë në mediet e shkruara dhe ato audiovizuale në veçanti, duhet mos t‘i përdorin shprehjet „kosovarë“, „kosovarët“, sepse këto shprehje që sot përdorën në kuptimin „shqiptarët e Kosovës“, po u përdorën për kohë gjatë, ato spontanisht qojnë ujë në ndarjen e kobshme të kombit shqiptar në dy kombe: njëri shqiptar në Shqipëri dhe tjetri „kosovar“ në Kosovë.
Duke pasur parasysh se kombi shqiptar është komb i vogël, është komb i ndarë në gjashtë njësi shtetërore të ndryshme, si dhe është kombi më i rrezikuar i Evropës (që kërcënohet hapatas nga Serbia në veri dhe nga Greqia në jug), të gjitha këto e bëjn të kobshme ndarjen e tij në dy kombe: njëri shqiptar në Shqipëri dhe tjetri „kosovar“ në Kosovë.
Prandaj u bëj thirje të gjithë shqiptarëve që zemra ua rrahë brijtë për kombin e tyre shqiptar: të ndarë e të copëtuar në disa shtete, të gjenocidizuar e spastruar etnikisht shumë herë nga vendet fqinje shoviniste, që të punojnë ditë e natë për unifikimin e kombit shqiptar, dhe jo për ndarjen e tij në dy kombe të ndryshme.