Kompania kineze e rrjetit social, TikTok ka reaguar pasi qeveria e Shqipërisë njoftoi se do të mbyllë TikTok për një vit. Ajo thotë se do të kërkojë “sqarime urgjente nga qeveria shqiptare” lidhur me vendimin për mbylljen e platformës TikTok për një vit në Shqipëri”.
Sipas vendimit të bërë të ditur dje nga kryeministri Edi Rama prej janarit të 2025 platforma e TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë, si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla, shkruan Associated Press.
Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me armë të ftotë të 14 vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, gjatë një konflikti me një tjetër nxënës po i kësaj shkolle, ndodhur më 18 nëntor 2024.
Në një reagim për Associated Press kompania e rrjetit social, TikTok tha se “nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.”