Shpërthen zjarri në një ndërtesë në Budapest, humbin jetën tre persona – lëndohen dhjetëra të tjerë
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pas një zjarri që përfshiu një ndërtesë të premten herët në Budakeszi, pranë Budapestit, njoftuan autoritetet hungareze.
Trupat e dy burrave dhe një gruaje u gjetën nën çatinë e shembur të ndërtesës. Për shkak të zjarrit, 22 persona pësuan lëndime, katër prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore, njoftoi policia.
Zjarri, që përfshiu një ndërtesë dykatëshe të përdorur si hotel për punëtorët, shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së premtes, sipas Drejtorisë së Përgjithshme Kombëtare të Hungarisë për Menaxhimin e Fatkeqësive.
Hetimet paraprake sugjerojnë se shkak mund të ketë qenë furnizimi i parregullt me gaz në ndërtesë.
Më shumë se 50 zjarrfikës u angazhuan për të shuar flakët dhe për të siguruar vendin e ngjarjes.