Shpërthen ‘Ebola’ në Kongo: Të paktën 15 persona kanë humbur jetën

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën në një shpërthim të ri të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, njoftoi ministria e shëndetësisë e vendit.
Prania e virusit u konfirmua te një grua 34-vjeçare shtatzënë, e cila ishte shtruar në spital muajin e kaluar pas shfaqjes së simptomave si ethe të larta dhe të vjella të përsëritura, sipas ministrisë. Ajo vdiq disa orë më vonë nga dështimi i shumë organeve, raportojnë mediat e huaja.
Ky është shpërthimi i 16-të i virusit vdekjeprurës në këtë shtet të madh të Afrikës Qendrore, i cili përballet me shërbime shëndetësore të dobëta dhe ka qenë i goditur nga konflikti në lindje.
Shpërthimi i fundit është regjistruar në provincën qendrore Kasai, ku janë konfirmuar 28 raste të dyshuara, tha ministria. Zyrtarët kanë kërkuar respektim të rreptë të masave parandaluese, përfshirë larjen e shpeshtë të duarve dhe distancimin social në zonat me rrezik të lartë.
Testet laboratorike identifikuan llojin Zaire të Ebolës, një formë e rrallë, por shpesh vdekjeprurëse, thanë zyrtarët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se po “vepronte me vendosmëri për të ndaluar shpejt përhapjen e virusit dhe për të mbrojtur komunitetet”.
Katër punonjës shëndetësorë janë midis 15 personave që kanë humbur jetën, shtoi OBSH-ja.