Ndërsa Matteo Pessina shënoi golin e dytë të Italisë në vazhdime për t’i dhënë fund çështjes së fituesit në 1/8 e finales të “Euro 2020” kundër Austrisë në “Wembley”, Gianluca Vialli vrapoi nga vendi i tij prapa zonës teknike për të përqafuar mikun e tij të madh Roberto Mancinin.
Ishte një shfaqje e emocioneve të papërpunuara që shkuan shumë më thellë sesa kremtimi i thjeshtë i një goli vendimtar. Së bashku, në këtë vend, Vialli dhe Mancini kishin përjetuar zhgënjimin më të madh të karrierës së tyre si futbollistë. Sampdoria u mund nga Barcelona në kohën shtesë në finalen e Kupës Evropiane të vitit 1992, me Mancinin si kapiten i ekipit italian. Megjithatë, një fitore e ngushtë ndaj Austrisë në 1/8 e finales nuk është e mjaftueshme për të shëruar plagët e shkaktuara para 29 vjetësh.
Vetëm dy fitore të tjera – kundër Spanjës në gjysmëfinale sonte dhe pastaj me Anglinë ose Danimarkën në finalen e së dielës – do të sigurojnë ilaçin për plagët e Mancinit dhe të Villait.
Vialli dhe Mancini kishin një karrierë përrallore si lojtarë aktivë, duke fituar 22 trofe të rëndësishëm mes vete, si dhe kanë grumbulluar 13 të tjerë si trajnerë. Sidoqoftë, nëse ndonjëri mund ta kthente kohën prapa, do të kishte dy kapituj që do të rishkruanin karrierën e tyre ndërkombëtare.
Vialli duhej ta udhëhiqte Italinë në Botërorin e vitit 1990, por u pengua nga dëmtimi dhe nuk shënoi asnjë gol në turne. Mancini ishte në skuadër, por nuk luajti asnjë minutë, dhe më pas asnjëri nuk u zgjodh për të qenë pjesë e Italisë në Botërorin e vitit 1994. Ndryshe nga Mancini, Vialli ngriti çmimin më të madh të futbollit evropian në nivel klubesh – Ligën e Kampionëve, si kapiten i Juventusit në vitin 1996, por plagët e “Wembleyt” katër vjet më parë ishin ende të freskëta kur Sampdoria u mposht nga goli i Ronald Koemanit nga gjuajtja e lirë në minutën e 112-të. Mirëpo Mancini e Vialli kanë një mundësi të artë për të ndrequr dy gabimet e tyre, nëse e udhëheqin Italinë drejt triumfit në “Euro 2020”. Mancini e ka përshkruar humbjen nga Barcelona si “nata më e keqe e karrierës së tij në Sampdoria”.
“Të nesërmen ishte edhe më keq, pasi vetëm atëherë e kupton se çfarë rasti ke lëshuar nga duart. Doja të fitoja me çdo kusht, pasi ai trofe ishte i fiksuar në mendjen time”, ka pranuar Mancini.
Mancini pothuajse e humbi kontrollin ndërsa e akuzoi arbitrin Aron Schmidhuber se nuk ishte e nevojshme të jepte goditje dënimi për Barcelonën, prej së cilës u vendos ndeshja. Gjatë ceremonisë së prezantimit ai ishte praktikisht i paqëndrueshëm. Të etiketuar si “binjakët e golave” për shkak të raporteve fantastike në fushë dhe jashtë saj, Mancini dhe Vialli morën rrugë të ndryshme në karrierë pas humbjes në “Wembley”. Vialli u transferua te Juventusi për një dëmshpërblim prej 15 milionë eurosh, ndërsa Mancini mbeti në Sampdoria deri në vitin 1997 përpara se t’i bashkohet Lazios. Përkundër kësaj, ata gjithmonë mbetën miq të fortë. Mancini u emërua përzgjedhës i Italisë në muajin maj të vitit 2018, gjashtë muaj pasi italianët kishin dështuar për herë të parë të kualifikoheshin në Kampionatin Botëror. Në vitin 2019, Mancini e bëri Viallin shef të shtabit të tij teknik. Vialli ishte diagnostikuar me kancer të pankreasit në vitin 2017 dhe kishte dy terapi të ndara nëntëmujore të kimioterapisë para se të shpallej i shëruar në dhjetor të vitit 2019.
“Jam shumë i lumtur që kam përfunduar duke punuar me mikun tim më të mirë. Ndihem mirë që jam në gjendje ta ndihmoj Roberton, dhe më pëlqen të përpiqem t’i frymëzoj lojtarët. Unë kam kontratë deri pas Botërorit të vitit të ardhshëm. Kështu që, ne po përpiqemi të bëjmë një punë të mirë gjatë kësaj periudhe”, pati thënë Vialli.
Mancini nuk ka folur shpesh për sëmundjen e Viallit. Një tjetër nga miqtë e tij të ngushtë, Sinisha Mihajloviq, u trajtua për leukemi në vitin 2019.
“Ata janë një shembull për të gjithë ata që janë të prekur nga sëmundja. Fakti që ata treguan historitë e tyre mund të ketë ndihmuar shumë njerëz që përballen me situata të tilla”, u shpreh Mancini.
Roli i Viallit brenda përbërjes së Italisë e lejon atë të lëvizë midis lojtarëve, trajnerëve dhe stafit mbështetës. Sulmuesi Ciro Immobile, që ka shënuar dy gola në Evropian, thotë se Vialli e ka stërvitur individualisht. Në fakt, Mancini te Italia është i rrethuar nga ish-bashkëlojtarët e tij te Sampdoria. Një tjetër veteran i humbjes nga Barcelona, Attilio Lombardo, është pjesë e ekipit, së bashku me ish-mesfushorët Alberico Evani dhe Fausto Salsano. Mancini dhe Vialli kanë kaluar kohë të lumtura në “Wembley” më parë. Vialli fitoi Kupën FA si trajneri i Chelseat në vitin 2000, 11 vjet para se Mancini të bënte të njëjtën gjë me Manchester Cityn.
Mirëpo tani kanë rastin për të fituar së bashku si trajnerë në “Wembley”, gati tri dekada pasi humbën së bashku si lojtarë.