Komuna e Podujevës ka reaguar pas shkarkimit nga detyra të Drejtorit të Inspeksionit në këtë komunë, Besnik Mulliqi, ku thanë se njoftimi për lirimin nga detyra të drejtorit Mulliqi është bërë që nga data 20 e muajit të kaluar ndërsa lirimi i tij zyrtar nga detyra është bërë me datën 29.07.2022.
Përmes një komunikate për media të komunës së Podujevës thuhet se shkarkimi i tij nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan, por për shkak të mosefikasiteti të punës së drejtorisë, ku sipas tyre, është lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës.
“Ditëve në vijim do të kërkohen sqarime shtesë për të gjitha rastet e ndërtimeve pa leje dhe bazën ligjore për veprimet e mëtutjeshme duke siguruar vendosjen e ligjshmërisë dhe ruajtjen e natyrës në Zonën e Orllanit”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, Mulliqi përmes një shkrimi në Facebook tha se vendimin për shkarkim e ka pranuar përmes një e-maili zyrtar. Kjo sipas tij erdhi pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, në zonën e Liqenit të Batllavës.
Ai thotë se ka pasur mospajtime të thella me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për rrënimet e bëra duke pretenduar se kjo edhe është arsyeja e shkarkimit të tij.