Të premten nga ora 10:00 pritet të bëhet përpjekja e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas disa dështimeve të njëpasnjëshme për të zgjedhur kryetaren e tij.
Edhe pse përpjekjet për të siguruar 61 votat e nevojshme për Albulena Haxhiun si kryekuvendare kanë dështuar tri herë radhazi.
Mirëpo, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, as kësaj here nuk e dha një përgjigje të qartë nëse Haxhiu do të jetë zyrtarisht kandidate.
Pas përurimit të urës në Rogovë të Hasit, Kurti u pyet nga gazetarët lidhur me zhvillimet në Kuvend, por ai shmangu komentet për këtë temë.
“Shiu është për bereqet”, kaq tha ai.
“Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës punojnë tokën e shiu është për bereqet”, u shpreh tutje, pa dhënë ndonjë deklaratë lidhur me bllokadën institucionale.