Është shfaqur sëmundja e zgjebes në Pogradec. Në një konvikt privat ku marrin kujdes katër fëmijë, tre prej tyre kanë rezultuar me sëmundjen e zgjebes duke ngritur kështu një alarm në gjithë shkollat e Pogradecit.
Ky fakt pranohet nga përgjegjësi i konviktit, Emiliano Kuqo, i cili shton se fëmijët që kanë rezultuar me këtë sëmundje janë karantinuar, ndërkohë që po kthehet dhe dizifektimi i ambienteve.
“Këtë vit përsëri është shfaqur kjo sëmundje dhe e kanë zbuluar qendra shëndetësore në shkolla ku ndodheshin fëmijët. Pasi kemi marrë vesh lajmin, që te fëmijët ndodhej kjo sëmundje, i çuam në mjeku, në ambientet tona kemi bërë dizifektimin, praktikonin, pastrimi është bërë. Po presim dizifektimin. Shpresoj të mbyllet me kaq”, tha Kuqo për A2.
Nga komunikimi jashtë kamerave me mjekë të drejtorisë së shëndetit publik në Pogradec, pranohet prezenca e sëmundjes së zgjebes, ku dyshohen mbi 10 raste, e për këtë po kryhen kontrolle në shkollat e qytetit, por deri më tani kemi të bëjmë me raste të shpërndara dhe jo vatra. Në të gjithë juglindjen rezultojnë 20 raste me këtë sëmundje.