Së fundmi është publikuar një video-inçizim në media ku shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, bisedon me ish-nënkryetarin e Listës Serbe i sanksionuar nga SHBA-të dhe i dyshuari kryesor për organizimin e sulmit në Bajnskë, Milan Radojiçiq.
Në lidhje me këto bisedë të publikuar ka folur për “Gazeta Blic” drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli.
Sheholli tha se kjo nuk është diçka e re për opinionin publik pasi diçka e tillë ishte paralajmëruar në inçizimin e parë nga Slavko Simiq.
Ai tutje tha se përveç Kusari-Lilës pritet të dalin edhe eksponentë të tjerë të Vetëvendosjes që kanë biseduar me Milan Radojiçiq.
“Ky nuk është një sihariç për opinionin e gjerë kosovar duke e ditur që në inçizimin e parë Slavko Simiq pati pohuar se “nëse iu publikohen të gjitha çfarë keni folur me zotin Radojiçiq du t’iu thehet koka si ju, Kurti dhe shumë të tjerëve”. Kjo është vazhdim i asaj që ai e ka bërë paralajmërim për opinionin. Ajo që ne e vërejtëm ishte një çështje që ka të bëjë me një deklaratë të zonjës Kusari e cila nuk e pranon se ka biseduar me të dhe që i ka thënë ‘zemjalk’ për arsye se të dy vijnë nga Gjakova dhe këtë nuk e ka pranuar në Rtv Dukagjini, e ka mohuar. Pra ai inçizimin e vërteton që zonja Kusari ka gënjyer në kohën kur është shprehur për këtë deklaratë. Ajo që duhet t’a themi është që, në bazë të asaj çfarë ma merr mendja çfarë mund të ketë në të ardhmen, ka biseda të ndryshme, përmbajtje të ndryshme sepse sigurisht ky nuk është fundi i këtyre video-inçizimeve. Shumë eksponentë të Vetëvendosjes të cilët kanë biseduar apo komunikuar indirekt me zotin Radojiçiq do të bëhen publike, prandaj do të ishte shumë mirë që vetë këta eksponentë të Vetëvendosjes të dalin dhe të tregojnë për përmbajten e bisedave të cilat i kanë zhvilluar. Lista Serbe është subjekt politik i regjistruar në KQZ dhe si e tillë nuk ka asgjë të keqe që kanë bisedu me eksponentë të tjerë të Listës Serbe sepse për zotin dihet që ka qenë dhe është në listën e zezë amerikane dhe britaneze dhe ky fakt e bën goxha të rëndë këtë çështje” deklaroi Sheholli.