Shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka folur për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga BE-ja.
Orav tha se draft-statuti është hartuar nga Bashkimi Evropian dhe është dorëzuar në Prishtinë nga ish-emisari special për dialogun, Miroslav Lajçak, teksa u shpreh se pasardhësi i Lajçakut, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij i ka dëgjuar qëndrimet e të gjitha palëve në lidhje me këtë çështje.
“Statuti është hartuar nga BE-ja, është dorëzuar këtu nga përfaqësuesi i kaluar special për dialogun dhe pasi Sorenseni ka qenë këtu për t’i dëgjuar qëndrimet e të gjitha palëve, kishim qëndrime të ndryshme se si duhet të vazhdojmë me procesin dhe prapë i takon atij të vendosë nëse diçka mund të bëhet më ndryshe ose për të vazhduar saktësisht në mënyrën e njëjtë”.
“Ne po i dëgjojmë të gjitha mesazhet në takimet zyrtare, prapa dyerve të mbyllura por edhe duke analizuar dhe duke përcjellur për së afërmi mediat se cfarë thonë politikanët, shoqëria civile, biznesmenët dhe i marrim parasysh të gjitha”, tha Orav në një intervistë në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Në lidhje me draft-statutin, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ai nuk është në linjë me opinionin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Asociacionin.