Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka dënuar ashpër sulmet e fundit ndaj pavarësisë së gjyqësorit në vend. Në një takim me kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Barbano i cilësoi të papranueshme sulmet e Qeverisë në detyrë ndaj këtij institucioni dhe mbështeti fuqishëm punën e Gjykatës Supreme.
Në komunikatën për media të Gjykatës Supreme bëhet e ditur se Barbano theksoi se “etiketimi dhe atakimi i gjyqtarëve me emra, duke i vendosur ata në rrezik nga ndonjë sulm i mundshëm, është i pa-tolerueshëm dhe i papranueshëm.”
Ndërkaq, Rexhepi theksoi dy aspekte të rëndësishme në këtë situatë: “Pjesën që gjyqësori është i pavarur dhe anën tjetër të medaljes që qeveria nuk ka arritur deri në atë shkallë të demokracisë, sa t’i pres në paqe vendimet e gjyqësorit.”
Ai gjithashtu shprehu vendosmërinë e Gjykatës për të vazhduar punën pavarësisht presioneve dhe sulmeve nga Qeveria në detyrë.
Gjykata Supreme ka shpallur të kundërligjshëm Udhëzimin Administrativ për përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, duke vlerësuar se kombinimi i funksioneve të deputetit dhe ministrit në një person shkel Kushtetutën e Kosovës.