Ballkani Perëndimor ishte ndër çështjet kryesore të diskutimeve që presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi me kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilën e priti edhe në zyrën e tij gjatë vizitës së saj në Uashington.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Shtëpia Bardhë thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe Italia mbështesin fuqishëm përparimin, stabilitetin dhe përparimin e rajonit dhe integrimin e plotë Atlantik të vendeve të tij.
“SHBA dhe Italian janë të vendosura të forcojnë koordinimin në favor të çtensionimit dhe pajtimit, duke mbështetur rolin vendimtar të Kuintit. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it Althea-s”.
Kjo deklaratë mund të interpretohet si një tjetër thirrje për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Muajt e fundit, kjo çështje ka angazhuar zyrtarët e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Bashkimit Europian për gjetjen e një zgjidhjeve për t’i dhënë fund tensioneve që shpërthyen pas 26 Majit, kur drejtuesit e rinj shqiptarë morën drejtimin e katër komunave me shumicë serbe në veri./Tv Klan