Presidenti i ShBA-së, Donald Trump përmes një Urdhri Ekzekutiv, ditë më parë ka pezulluar të gjitha fondet mbështetëse të qeverisë amerikane në gjithë botën. Gjatë ditës së djeshme u raportua se ky vendim do të ndikojë edhe në punën e Gjykatës Speciale, meqë ShBA-ja është në mesin e vendeve që financojnë këtë institucion. Por, a ndikon ky vendim tek Specialja?
Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, thonë se financues kryesor është Bashkimi Evropian.
E pyetur nëse kanë marrë njoftim për pezullimin e fondeve nga ShBA-ja, zëdhënësja Angela Griep tha kontributi i tyre i përket vetëm disa posteve dytësore të stafit
Ajo konfirmoi se BE-ja ka financuar Dhomat e Specializuara nga qershori i vitit 2023 deri në qershor të vitit 2025 me një buxhet aktual prej 97 milionë e 100 mijë eurove.
Griep bëri të ditur se edhe buxhetet e kaluara janë financuar po nga Bashkimi Evropian, ndërsa Zvicra ka një grant prej 137 mijë euro për programin e Prezantimit të Dhomave të Specializuara, ndërsa Norvegjia është ajo që ka financuar në renovimin e ndërtesës së Gjykatës.
“Buxheti aktual prej 97 100 000 euro për periudhën 15 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025 është financuar nga Bashkimi Evropian. Të gjitha buxhetet e mëparshme janë siguruar nga Bashkimi Evropian. Zvicra ka kontribuar në Programin e Prezantimit të Dhomave të Specializuara që nga viti 2018, aktualisht me një grant mbi 137,000 euro. Norvegjia ka financuar renovimin e ndërtesës së gjykatës. Kontributi i shteteve të tjera, përfshirë SHBA-në, ka të bëjë kryesisht me disa poste dytësore të stafit”, tha Griep në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net.
Sipas një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, shtete tjera kontribuese janë edhe Kanadaja e Turqia.
“DHSK-ja financohet plotësisht nga Bashkimi Evropian dhe pjesërisht nga pesë shtete kontribuese (Shtetet e Bashkuara, Norvegjia, Zvicra, Kanadaja dhe Turqia)”, thuhet në web-faqe.
Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, ka njoftuar të gjitha institucionet në vend për pezullimin e fondeve të mbështetjes pas firmosjes së urdhrit ekzekutiv nga presidenti Donald Trump.
Ky vendim do të jetë në fuqi për 90 ditë, derisa të rivlerësohen projektet.
Por, të martën, ky urdhër ekzekutiv u hoq pjesërisht, duke lejuar që ndihma humanitare që shpëton jetë të vazhdojë gjatë këtij pezullimi 90 ditësh.
“Zbatuesit e programeve ekzistuese të ndihmës humanitare për shpëtimin e jetës duhet të vazhdojnë ose të rifillojnë punën nëse janë ndalur”, deklaroi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio në vendimin që u publikua në faqen e Departamentit të Shtetit.
Ky vendimi i ri, megjithatë vjen me disa udhëzime, ndërsa Rubio tha se gjatë kësaj kohe nuk do të lejohet nënshkrimi i asnjë kontrate të re.
Në vendim u tha se ndihma humanitare për shpëtimin e jetës zbatohet për mjekësinë thelbësore për shpëtimin e jetës, shërbimet mjekësore, ushqimin, strehimin dhe ndihmën e jetesës, si dhe furnizimet dhe kostot e arsyeshme administrative sipas nevojës për të ofruar një ndihmë të tillë.