Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se shpreson që Rusia do të pranojë një propozim të vendit të tij për armëpushim të menjëhershëm 30-ditor me Ukrainën, pasi Kievi tha se është i gatshëm për ta pranuar atë.
Kryediplomati amerikan tha se do t’ia paraqesë edhe Rusisë ofertën dhe se “topi është në fushën e tyre”. Moska ende nuk e ka komentuar publikisht çështjen, raporton televizioni BBC.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se u përket Shteteve të Bashkuara që ta bindin Rusinë për t’u pajtuar me propozimin “pozitiv”.
Bisedimet e së martës në Arabinë Saudite ishin takimi i parë zyrtar mes ShBA-së e Ukrainës që nga përplasja e jashtëzakonshme mes presidentëve Donald Trump e Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale më 28 shkurt.
Në një deklaratë të përbashkët, ShBA-ja gjithashtu tha se do t’i fillojë menjëherë ndarjen e të dhënave të inteligjencës dhe asistencën e sigurisë për Ukrainën, të cilat Uashingtoni i kishte pezulluar pas grindjes së pashembullt publike mes dy udhëheqësve në Shtëpinë e Bardhë.
“Të dyja delegacionet u pajtuan për emërimin e ekipeve të tyre negociuese dhe për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve drejt një paqeje të qëndrueshme që ofron siguri afatgjate për Ukrainën” – thuhet në deklaratën e përbashkët ShBA – Ukrainë.