Forcat amerikane dhe britanike kryen një operacion të përbashkët ushtarak në Jemen të martën, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë, e cila tha se operacioni kishte në shënjestër një objektiv ushtarak të Houthive përgjegjës për prodhimin e dronëve si ata që janë përdorur për t’i sulmuar anijet, raporton The Guardian.
Një deklaratë britanike pretendon se analiza e inteligjencës identifikoi një grup ndërtesash të vendosura 24 km në jug të kryeqytetit të Jemenit, Sana’a, të cilat përdoreshin nga Houthit për të prodhuar dronë të tipit të përdorur për t’i sulmuar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Kjo është hera e parë që ushtria britanike ka sulmuar Jemenin që kur Donald Trump u inaugurua si president i SHBA-së për herë të dytë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka qenë hapur përçmues ndaj aftësive mbrojtëse europiane, kujton Guardian. Në mars ai kritikoi forcat europiane si “ndonjë vend i rastësishëm që s’ka bërë luftë prej 30 apo 40 vitesh”.
Sulmet vrarë më shumë se 100 persona, raporton Reuters. Ky numër përfshin 74 persona të vrarë në një terminal nafte në mes të prillit, në atë që ishte sulmi më vdekjeprurës në Jemen deri tani gjatë presidencës së Donald Trump, sipas ministrisë së shëndetësisë së kontrolluar nga Houthit.
Avokatët e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime lidhur me vrasjet e civilëve. Televizioni i kontrolluar nga Houthit tha të hënën se një sulm ajror amerikan vrau 68 persona pasi goditi një qendër ndalimi për migrantë afrikanë në Jemen.