Kryetari aktual i Komunës së Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, ka prezantuar sot listën e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për Kuvendin e Komunës. Lista përbëhet nga 45 kandidatë, ku 65% e tyre garojnë për herë të parë, duke sjellë energji të reja dhe përvojë nga fusha të ndryshme të jetës profesionale e shoqërore.
Në këtë përbërje vihet re edhe një përfaqësim i të gjitha shtresave të qytetit dhe profesioneve të ndryshme. Po ashtu, lista e propozuar reflekton diversitetin shoqëror dhe kulturor të Prizrenit.
Shaqir Totaj theksoi se kjo listë është ndërtuar për të ofruar një përfaqësim sa më gjithëpërfshirës dhe për të fuqizuar Kuvendin Komunal me zëra të rinj dhe profesionistë me integritet.
“Të rinj dhe të reja, profesorë e mjekë, urbanista dhe ekspertë, aktivistë e anëtarë të devotshëm të PDK-së do t’i shërbejnë me zell e përkushtim Prizrenit në punë. Si kryetari që kërkoj një mandat të dytë, ju ftoj ta shpërndani dhe ta mbështesni listën fituese në zgjedhjet e 12 tetorit. Na priftë e mbara” shkroi ai.
Lista e re e kandidatëve shihet si një hap strategjik për të forcuar punën e kryer gjatë mandatit të parë të Totajt dhe për të ndërtuar mbi rezultatet e arritura, me synimin për një Prizren edhe më të zhvilluar e gjithëpërfshirës në vitet e ardhshme